Kandidatja nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan, është aktualisht favoritja për të marrë drejtimin e Kombeve të Bashkuara, pas raundit të fundit të votimit informal të zhvilluar më 5 nëntor në Këshillin e Sigurimit.

Grynspan siguroi 12 vota në mbështetje të kandidaturës së saj, ndërsa tre anëtarë u shprehën kundër. Në vendin e dytë u rendit argjentinasi Rafael Grossi, drejtues i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili mori nëntë vota pro dhe katër kundër.

Rezultati ishte më pak favorizues për kandidatin turk Feridun Hadi Sinirlioğlu, i cili arriti të siguronte vetëm tri vota pro, ndërsa tetë anëtarë votuan kundër dhe katër nuk shprehën një qëndrim.

Megjithatë, ky proces votimi ka karakter informal dhe nuk përcakton fituesin përfundimtar. Emri i Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm duhet fillimisht të rekomandohet nga Këshilli i Sigurimit dhe më pas të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.