Pjesëmarrja në referendumin për reformën në drejtësi të Italisë ka shënuar nivele historike në ditën e parë të votimit, duke mbërritur në 46,07% deri mbrëmjen e së dielës, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.
Analistët parashikojnë se pjesëmarrja përfundimtare mund të arrijë në 60 apo 65%. Sekretarja e përgjithshme e Konfederatës Italiane të Sindikatave të Punëtorëve, Cisl, Daniela Fumarola, e vlerësoi këtë nivel pjesëmarrjeje si fillimin e një epoke të re dhe u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Vetë kryeministrja Giorgia Meloni publikoi një postim në X ku shihej me fletën e votimit në dorë, shoqëruar me mesazhin: “Gati për të votuar. Mos harroni: ka kohë deri në orën 15:00 sot për të shkuar në qendrat e votimit. Pjesëmarrja është e rëndësishme.
Pjesëmarrja ndryshon në bazë rajonesh: Emilia-Romagna udhëheq me 53,7%, ndërsa qytete si Napoli dhe Palermo kanë nivele më të ulëta votimi me rreth 38%. Qeveria e djathtë e Melonit dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën e Italisë për të ndarë rolin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe për të reformuar trupin mbikëqyrës të tyre.
Sipas kryeministres, plani është i domosdoshëm për të garantuar paanshmërinë dhe për të përmirësuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në Itali, i cili po përballet me probleme.
“Ky hap do ta bëjë atë më modern, më meritokratik, më autonom, më të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha, të lirë nga kufizimet politike”, tha Meloni në një video të publikuar këtë javë.
Referendumi megjithatë konsiderohet një test politik edhe për vetë ekzekutivin italian, sipas vëzhgimeve ndërkombëtare, pasi shihet jo thjesht si një vendim mbi drejtësinë, por edhe si një sinjal lidhur me ndikimin politik në zgjedhjet e ardhshme.
Një “Jo” e qartë do të ishte një goditje e fortë për Melonin, e cila udhëheq një koalicion të qëndrueshëm qeverisës që nga tetori i vitit 2022. Meloni për çdo rast i ka hedhur poshtë që flasin për dorëheqje nëse planet e saj për reformën në drejtësi nuk kalojnë në këtë referendum.
