Personat që marrin azil në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të presin deri në 20 vjet për të aplikuar për leje qëndrimi të përhershme, sipas një pakete të re masash që pritet të zyrtarizohet të hënën nga Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, raporton BBC.

Kjoo reformë e thellë vjen në një kohë kur qeveria kërkon të frenojë kalimet me gomone dhe rritjen e kërkesave për azil.

Sipas planit, të gjithë personat që fitojnë statusin e azilit do të lejohen të qëndrojnë në Britani vetëm përkohësisht, ndërsa statusi i tyre do të rishikohet në mënyrë periodike. Nëse vendet e tyre të origjinës do të konsiderohen më pas të sigurta, ata do të detyrohen të kthehen.

Aktualisht, statusi i refugjatit zgjat pesë vjet, pas të cilëve personat mund të aplikojnë për qëndrim të pacaktuar. Mahmood synon ta përgjysmojë këtë periudhë fillestare në dy vjet e gjysmë, ndërsa koha për të fituar rezidencë të përhershme do të shtrihet nga pesë në 20 vjet.

Në një intervistë për “Sunday Times”, ministrja theksoi se masat “janë krijuar për t’u dërguar një mesazh të qartë njerëzve: mos vini në këtë vend në mënyrë të paligjshme, mos hipni nëpër varka”.