Një terapiste e licencuar për shëndetin mendor u vra brenda zyrës së saj pas një sulmi me thikë nga një ish-klient. Rebecca White u sulmua në qendrën e këshillimit ku ushtronte profesionin, në zonën e Lee Road. Autori i dyshuar, Michael Smith, ishte paraqitur në ambientet e zyrës duke kërkuar ta takonte. Pasi terapistja kishte refuzuar t’i hapte derën, ai dyshohet se ka nxjerrë një mjet prerës dhe ka ndërmarrë sulmin.
Gjatë ngjarjes mbeti i plagosur rëndë edhe një burrë tjetër, i cili kishte përfunduar një seancë terapie pak çaste para sulmit dhe tentoi të ndërhynte për ta ndaluar autorin. Pavarësisht gjendjes së tij, ai arriti të telefonojë shërbimet e emergjencës. Forcat e rendit mbërritën në vendngjarje dhe gjetën Rebecca White në gjendje kritike. Ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Një ditë më pas, më 20 janar, autoritetet njoftuan se kishin gjetur trupin e pajetë të Michael Smith. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës, ndërsa policia përjashtoi përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë me dije se për momentin nuk do të publikohen detaje të tjera lidhur me rastin.



