Një kërkesë e papërmbushur e Donald Trumpit detyron drejtorin e Muzeut Presidencial Eisenhower në Kansas, Todd Arrington, të japë dorëheqjen.
Mollë sherri mes tij dhe shefit të Shtëpisë së Bardhë u bë një shpatë e ish-presidentit Dwight Ajzenauer, që ruhet në këtë muze, të cilën Trump ia kërkoi për t’ia dhuruar mbretit Çarls III gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar më 16 deri më 18 shtator.
Drejtori refuzoi kërkesën që nuk i kishte ardhur drejtpërdrejt nga presidenti, por nga njësia e dhuratave për llogari të Departamentit Amerikan të Shtetit. Pas refuzimit, përfaqësues të administratës i kishin vënë ultimatum të dorëhiqej ose do të shkarkohej. Arrington dha dorëheqjen të hënën, por po përpiqet të rikthehet në detyrë duke marrë kontakte me eprorët e tij në Arkivën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë vizitës, Trump i dhuroi familjes mbretërore një kopje të shpatës së Ajzenauerit. Dyshohet se shpata origjinale e kërkuar nga presidenti është ajo që ish-presidentit amerikan iu dhurua në vitin 1947 nga drejtuesit e qytetit të Londrës, si shpërblim për kontributin e tij si komandant i trupave aleate anglo-amerikane në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore.