Çmimi i arit ka shënuar një rritje historike, duke kaluar për herë të parë pragun e 4 mijë dollarëve për ounce në tregun ndërkombëtar, duke reflektuar shqetësimet në rritje për inflacionin dhe pasigurinë ekonomike globale.

Investitorët, përfshirë bankat qendrore, fondet pensionale dhe individë të ndryshëm, po shtojnë arin në portofolët e tyre si një aset sigurie, duke shfrytëzuar edhe fondet ETF që kanë tërhequr investime rekord gjatë vitit.

Rritja e çmimit të arit është nxitur nga tensionet tregtare, dobësimi i dollarit amerikan dhe pasiguria në tregjet financiare. Gjatë muajit shtator, ari shënoi një rritje mujore prej gati 12%, niveli më i lartë që nga viti 2011. Një faktor kyç është edhe fenomeni i njohur si “FOMO”, frika për të humbur fitimet, që ka tërhequr një numër më të madh investitorësh drejt këtij metali.

Ndërkohë, obligacionet po bëhen më pak tërheqëse për shkak të nivelit të lartë të borxhit dhe pritshmërive për rritje të inflacionit, duke bërë që investitorët të kërkojnë alternativa si ari.

Megjithatë, disa investitorë tradicionalë mbeten skeptikë ndaj arit, duke e parë atë si një aset pa të ardhura direkte, por ndryshimet në treg po tregojnë një tendencë drejt një alokimi më të madhe të arit në portofolët investues.