Për herë të parë në historinë e regjistrimeve klimatike, temperaturat mesatare globale kanë qëndruar për gjashtë ditë radhazi të paktën 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke shënuar një rekord të ri dhe duke shtuar shqetësimet për përshpejtimin e ngrohjes globale.

Sipas të dhënave të publikuara, temperatura mesatare ditore e sipërfaqes së Tokës arriti në 2.24 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1850-1900, të hënën, më 23 nëntor. Kjo është vlera më e lartë e regjistruar deri më tani. Parashikimet tregojnë se temperaturat mund të qëndrojnë në nivele të ngjashme edhe për disa ditë të tjera.

Siç raporton gazeta britanike “The Guardian”, më parë janë regjistruar vetëm dy periudha kur temperaturat ditore kanë kaluar pragun prej 2 gradësh: në nëntor 2023 dhe shkurt 2024. Megjithatë, këto episode nuk kanë zgjatur kaq shumë dhe nuk kanë arritur nivelet e tanishme. Rekordi i mëparshëm, i shënuar në vitin 2023, ishte 2.05 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.