Vala e fuqishme e të nxehtit që goditi Gjermaninë në fund të qershorit dyshohet se ka shkaktuar mbi 5.400 vdekje shtesë, sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave.
Të dhënat tregojnë se gjatë javës së fundit të muajit u regjistruan 5.486 vdekje më shumë krahasuar me mesataren e së njëjtës periudhë për vitet 2022–2025. Kjo rritje përkon me ditët kur vendi u përball me temperatura ekstreme, të cilat në disa zona tejkaluan 41 gradë Celsius.
Specialistët e shëndetit publik theksojnë se valët e të nxehtit përbëjnë një rrezik të madh, sidomos për të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Temperaturat e larta mund të rëndojnë gjendjen shëndetësore të këtyre kategorive dhe të rrisin ndjeshëm rrezikun e vdekjeve.
Gjermania ishte një nga shtetet evropiane më të prekura nga kjo valë e nxehti, e cila solli temperatura rekord në disa rajone të vendit.
Shkencëtarët vijojnë të paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë episodet e të nxehtit ekstrem më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive, duke shtuar sfidat për shëndetin publik dhe duke rritur ngarkesën mbi sistemet shëndetësore.
