Kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhageni, është shpallur për të dytin vit radhazi qyteti më i jetueshëm në botë, sipas Indeksit Global të Jetëshmërisë 2026 të Njësisë së Inteligjencës së “The Economist”.

Renditja vlerësoi 173 qytete në mbarë botën, duke analizuar faktorë si stabiliteti, kujdesi shëndetësor, kultura dhe mjedisi, arsimi dhe infrastruktura, shkruan BBC. Pas Kopenhagenit, në pesë vendet e para u renditën Vjena, Melburni, Sidnei dhe Zyrihu, duke konfirmuar dominimin e qyteteve evropiane dhe performancën e fortë të Australisë. Sipas banorëve, ajo që e bën Kopenhagenin të veçantë është kombinimi mes infrastrukturës moderne, jetës së qetë dhe lidhjes së fortë me natyrën. Banorët mund të shkojnë në punë me biçikletë, të notojnë në ujërat urbane dhe të shijojnë hapësirat publike pa u larguar nga qyteti.

Laura Amira Kassem, studente e mjekësisë që jeton prej tetë vitesh në qytet, thotë se ky stil jetese është pjesë e përditshmërisë. Ajo përmend lagjen Norrebro si një nga zonat më karakteristike, ku ndërthuren kultura të ndryshme, restorante, kafene dhe ambiente artistike. Në vendin e dytë renditet Vjena, e cila vazhdon të vlerësohet për sistemin shëndetësor, arsimin dhe transportin publik efikas. Banorët e saj theksojnë ritmin e qetë të jetës, arkitekturën historike dhe mundësinë për të shijuar qytetin edhe gjatë udhëtimeve të zakonshme me tramvaj.

Melburni, në vendin e tretë, spikat për kulturën, artin, gastronominë dhe lagjet me identitete të ndryshme. Banorët e përshkruajnë si një qytet të madh që ruan ndjesinë e një komuniteti të vogël, ku çdo zonë ka karakterin e saj. Sidnei renditet i katërti falë kombinimit të kujdesit shëndetësor, arsimit, natyrës dhe stilit të jetesës pranë detit. Banorët vlerësojnë plazhet, portin, komunitetet multikulturore dhe mundësinë për të qenë gjithmonë pranë natyrës. Në vendin e pestë është Zyrihu, ku banorët veçojnë pastërtinë, efikasitetin dhe afërsinë me liqenin dhe lumenjtë. Qyteti vlerësohet për cilësinë e lartë të shërbimeve dhe mënyrën se si ndërthur jetën urbane me natyrën. Sipas raportit, qytetet më të suksesshme janë ato që arrijnë të krijojnë një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik, sigurisë, shërbimeve publike dhe një stili jetese që i lejon banorët të shijojnë përditshmërinë.

10 qytetet më të mira për të jetuar në vitin 2026:

  1. Kopenhagen, Danimarkë
  2. Vjenë, Austri
  3. Melburn, Australi
  4. Sidnei, Australi
  5. Zyrih, Zvicër
  6. Gjenevë, Zvicër
  7. Osaka, Japoni
  8. Adelaide, Australi
  9. Vankuver, Kanada
  10. Tokio, Japoni