Republika e Burundit është shteti i radhës i OKB-së që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Nota verbale e njohjes i është dorëzuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli nga ministri i Punëve të Jashtme të Burundit, Laurent Kavakure, në kryeqytetin këtij shteti, Bujumbura.


Njohja nga ky shtet është e rëndësishme edhe për faktin se thyhet akulli tek këto vende të cilat kultivojnë marrëdhënie të mira me vendet si Rusia, Kina dhe India që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.


“Gjithashtu, në këtë pjesë të Afrikës, edhe lobimi serb është shumë i angazhuar veçanërisht në sferën ekonomike. Në kontekst të kësaj, edhe angazhimi i fundit i zëvendëskryeministrit Pacolli në këtë pjesë ka qenë shumë intensive”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Pacolli.

28 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)