Moti ekstrem ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në lindje të Japonisë, ku prefektura Chiba është përfshirë nga reshje jashtëzakonisht të dendura. Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa autoritetet vijojnë të paralajmërojnë për rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Situata më e rëndë është regjistruar në zonat pranë Tokios, ku intensiteti i reshjeve arriti në mbi 100 milimetra brenda një ore. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, bëhet fjalë për një nga nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në Chiba dhe rreth trefishin e reshjeve mesatare të muajit gusht.

Pasojat kanë qenë të menjëhershme. Mbi 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa më shumë se 100 mijë familjeve iu bë thirrje të largoheshin nga banesat për shkak të rrezikut. Probleme të mëdha u shënuan edhe në transport, me linja hekurudhore të pezulluara dhe disa prej akseve kryesore rrugore të mbyllura.

Kaos u krijua edhe në aeroportin ndërkombëtar Narita, ku rreth 7 mijë pasagjerë u detyruan të kalonin natën të bllokuar. Autoritetet presin që fluturimet të rikthehen në normalitet, megjithëse Japan Airlines ka paralajmëruar se mund të ketë vonesa.

Mes viktimave është edhe një grua, automjeti i së cilës u përfshi nga uji teksa ndodhej në një rrugë të përmbytur. Dy persona të tjerë u gjetën të rrëzuar në rrugë dhe humbën jetën më vonë.

Për shkak të përkeqësimit të shpejtë të situatës, autoritetet aktivizuan fillimisht nivelin pesë, shkallën më të lartë të alarmit për emergjencat. Më pas alarmi u ul në nivelin katër, por banorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes maksimal pasi rreziku nuk ka kaluar.

Mijëra persona u detyruan të kërkonin strehim gjatë natës. Rreth 1,800 prej tyre qëndruan në ambientet e Qeverisë së Prefekturës Chiba, ndërsa shumë të tjerë kaluan orë të tëra në stacione dhe pika të ndryshme të transportit publik.

Guvernatori Toshihito Kumagai e cilësoi atë që po ndodh si një situatë jashtë normales, duke deklaruar se nuk kishte përjetuar më parë një fatkeqësi të këtij lloji.

Sipas meteorologëve, reshjet ekstreme janë shkaktuar nga ndërveprimi i ajrit të ngrohtë dhe të ngarkuar me lagështi me masa më të ftohta ajrore mbi Japoninë lindore. Ky kombinim ka krijuar një atmosferë tepër të paqëndrueshme dhe kushte të favorshme për stuhi intensive.

Japonia nuk është i vetmi vend aziatik që po përballet me mot të rënduar. Filipinet dhe Kina janë goditur gjithashtu nga stuhi dhe tajfune gjatë ditëve të fundit, me përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike dhe evakuime në shkallë të gjerë.