Administrata Trump u ka urdhëruar punonjësve të FBI-së në Uashington, DC dhe Nju Jork që të kontrollojnë menjëherë stacionet e tyre të punës dhe mediat digjitale për çdo informacion që lidhet me zhdukjen e Amelia Earhart.

Punonjësit në këto zyra morën një mesazh shumë të pazakontë nga udhëheqja e tyre, të shënuar me rëndësi të lartë. Në të thuhej: “Sipas një kërkese prioritare nga Zyra Ekzekutive e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ju lutemi kontrolloni çdo zonë ku mund të ruhen dokumente ose të dhëna fizike apo digjitale, përfshirë raste të hapura ose të mbyllura, për çdo informacion që lidhet me Amelia Earhart.”

Punonjësve të FBI-së iu dha një afat deri të mërkurën për t’iu përgjigjur kërkesës e cila erdhi në ditën e shtatë të mbylljes së vazhdueshme të qeverisë federale.

Amelia Earhart po përpiqej të bëhej gruaja e parë që fluturonte rreth botës kur avioni i saj u zhduk mbi Oqeanin Paqësor në vitin 1937. Ajo u shpall e humbur në det pas një kërkimi 16-ditor.

Muajin e kaluar, Donald Trump se po i jepte udhëzime administratës së tij për të “deklasifikuar dhe publikuar të gjitha të dhënat qeveritare” që lidhen me Earhart.

“Zhdukja e saj, pothuajse 90 vjet më parë, ka magjepsur miliona njerëz. Po urdhëroj administratën time të deklasifikojë dhe publikojë të gjitha të dhënat qeveritare që lidhen me Amelia Earhart, udhëtimin e saj të fundit dhe gjithçka tjetër rreth saj,” shkroi Trump në Truth Social.

Earhart, pilotja e parë femër që fluturoi vetëm mbi Oqeanin Atlantik, theu një numër rekordesh në aviacion dhe ka qenë burim magjepsjeje publike gjatë jetës dhe pas zhdukjes së saj.

Teoritë e konspiracionit kanë qarkulluar prej vitesh që nga zhdukja e saj, por siç raportoi CNN në vitin 2024, qeveria amerikane dyshonte se Earhart dhe navigatori i saj u rrëzuan në Paqësor kur avionit i mbaroi karburanti.

Trump ka urdhëruar më parë publikimin e dokumenteve që lidhen me ngjarje të tjera të profilit të lartë që kanë ndezur teori konspiracioni përfshirë vrasjet e Presidentit John F. Kennedy, Senatorit Robert F. Kennedy dhe Reverend Martin Luther King Jr.