Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish në Ngushticën e Hormuzit, pas një sulmi amerikan ndaj dy raketahedhësve iranianë në ishullin Larak.
Sipas Gardës Revolucionare Islamike, nga goditja kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Teherani e ka cilësuar sulmin si agresion dhe ka paralajmëruar se do të ketë “përgjigje dhe ndëshkim”.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, deklaroi se operacioni ishte “i kufizuar dhe i saktë”. Sipas amerikanëve, objektivi ishin forcat iraniane që po përgatiteshin të vendosnin mina detare, të cilat përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për anijet që lundrojnë në Hormuz.
Përplasja nuk mbeti vetëm në ujërat e ngushticës. Disa orë më vonë, autoritetet iraniane pretenduan se kishin lëshuar raketa balistike drejt bazave amerikane King Hussein dhe Al-Azraq në Jordani. Ushtria jordaneze deklaroi se kishte interceptuar tetë raketa.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan edhe një sulm me dron ndaj bazës ajrore Al-Minhad në Emiratet e Bashkuara Arabe. Abu Dhabi i mohoi këto pretendime, por konfirmoi se një dron ishte rrëzuar.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij nuk kërkon luftë, por paralajmëroi se çdo agresion do të marrë një “përgjigje vendimtare”.
Ishulli Larak, pranë Bandar Abbasit, ndodhet në një zonë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës para nisjes së konfliktit transportohej rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.
Situata në këtë korridor detar është bërë edhe më e tensionuar për shkak të kontrolleve të vendosura nga Irani ndaj disa tankerëve. Sipas raportimeve, disa anijeve u janë kërkuar pagesa që arrijnë deri në 2 milionë dollarë për të kaluar pranë Larakut.
Në të njëjtën kohë, SHBA vijon operacionet detare kundër Iranit. CENTCOM tha se vetëm gjatë së shtunës kishte çaktivizuar tre anije, kishte hipur në dy të tjera dhe kishte ridrejtuar 82 anije.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar më herët se çdo përpjekje e Iranit për të vendosur mina të reja në Hormuz do të përballet me kundërpërgjigje ushtarake. Pas sulmit në Larak, Trump publikoi gjithashtu pamje që tregonin shpërthime në infrastrukturën iraniane të naftës, duke iu referuar edhe ishullit Kharg, një pikë kyçe për eksportet iraniane.
Përshkallëzimi ushtarak vjen në një kohë kur Uashingtoni po rrit paralelisht presionin ekonomik ndaj Teheranit. Më 24 gusht, SHBA njoftoi një paketë të re sanksionesh, duke synuar zgjerimin e izolimit financiar të Iranit dhe goditjen e kompanive dhe subjekteve që bashkëpunojnë me të.
Rikthimi i goditjeve në Hormuz, së bashku me bllokadën detare dhe paralajmërimet për hakmarrje, ka rritur ndjeshëm frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes Washingtonit dhe Teheranit.
