Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi Teherani ka lëshuar raketa drejt objektivave në Jordani, ku ndodhen edhe trupa amerikane.

Sulmi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 31 gushtit, me raketat që kanë pasur si objektiv zonën e Aqabas dhe bazën ajrore Muwaffaq Salti. Një zyrtar amerikan konfirmoi për Fox News se shumica dërrmuese e raketave u interceptuan përpara se të arrinin objektivat.

Goditja iraniane erdhi pak orë pasi forcat amerikane sulmuan dy sisteme raketash iraniane në ishullin Larak, në afërsi të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Komandës Qendrore amerikane, objektivi i operacionit ishin njësitë e Gardës Revolucionare iraniane që merreshin me vendosjen e minave detare. Uashingtoni argumentoi se këto njësi përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit dhe e cilësoi ndërhyrjen si një operacion të kufizuar, jo si akt agresioni.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare pretendoi se një supercisternë nafte kishte marrë flakë pasi kishte shkelur rregullat e lundrimit dhe ishte përplasur me dy mina detare.

Ngjarjet e fundit e kanë rikthyer Ngushticën e Hormuzit në qendër të konfliktit. Korridori detar është një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë dhe çdo ndërprerje e qarkullimit aty mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për furnizimin dhe çmimet e naftës.

Përplasja është shtrirë edhe në pjesë të tjera të Gjirit Persik. Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte kryer një sulm ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, por autoritetet në Abu Dhabi e mohuan deklaratën.

Rikthimi i sulmeve të drejtpërdrejta mes dy vendeve pas disa javësh qetësie ushtarake tregon se konflikti, tashmë në muajin e shtatë, po hyn në një fazë të re dhe më të rrezikshme për stabilitetin e rajonit.