Një përkrenare e artë e paçmuar, e vjedhur rreth një vit më parë nga një muze në Holandë, është gjetur dhe i është kthyer autoriteteve, duke i dhënë fund një prej rasteve më të bujshme të grabitjes së artit në Evropë.

Artefakti 2,500-vjeçar, i njohur si përkrenarja e artë e Coțofenești-t, konsiderohet një simbol i rëndësishëm kulturor për Rumaninë. Ajo ishte dhënë me hua në Muzeu Drents kur u vodh së bashku me disa objekte të tjera me vlerë.

Ngjarja kishte ndodhur në janar të vitit 2025, kur një grup grabitësish përdorën fishekzjarre për të depërtuar në muze dhe për të thyer vitrinat, duke u larguar me përkrenaren dhe tre byzylykë ari. Rasti shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare dhe presion të vazhdueshëm nga autoritetet rumune për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Tre persona janë aktualisht në gjyq për vjedhjen, por deri më tani kanë zgjedhur të heshtin përpara gjykatës. Sipas ekspertit të njohur të artit Arthur Brand, rikuperimi i përkrenares u bë i mundur falë bashkëpunimit mes tij dhe policisë holandeze, të cilët përdorën rrjetin e kontakteve për të bindur të dyshuarit që ta dorëzonin objektin.

Brand u shpreh se kishte qenë pothuajse i sigurt që përkrenarja nuk ishte shkrirë, duke qenë se arrestimet u kryen vetëm pak ditë pas vjedhjes. Ai vlerësoi gjithashtu punën e autoriteteve në Holandë si vendimtare për rikthimin e këtij thesari historik.

Sipas raportimeve të The Guardian, presioni nga Rumania kishte qenë i madh gjatë gjithë hetimit, me kërkesa të vazhdueshme për zbulimin e vendndodhjes së objekteve të vjedhura.

Rikthimi i përkrenares konsiderohet një sukses i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe një lehtësim për autoritetet dhe publikun rumun, për të cilët ky artefakt përfaqëson një pjesë të çmuar të historisë kombëtare.