Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Portugali, teksa një 26-vjeçar është arrestuar pasi ka goditur  për vdekje me thikë shokun e tij, për shkak të lojës vdekjeprurëse “Balena Blu”.

Viktima 35-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohet se u sulmua pasi një sherri mes grupit të miqve, teksa ata po luanin lojën famëkeqe të vetëvrasjes, sfida në internet e cila është lidhur me një seri vdekjesh në mbarë botën.

Policia gjeti trupin e britanikut në një pyll të largët midis Poco Negro dhe Soalheira, pranë qytetit qendror të Pedrogao Grande. Pas kësaj, 26-vjeçari u dorëzua në polici duke pranuar krimin e rëndë, të cilin tha se e kishte kryer pasi ishte një nga sfidat e lojës.

‘Loja’ vdekjeprurëse e Balenës Blu përfshin 50 sfida në po aq ditë, që synojnë ‘krijimin e situatave psikologjikisht traumatizuese’, duke përfunduar me vetëvrasje. 

Pjesëmarrësit i bashkohen një ‘grupi’ ku detyrat përcaktohen nga një ‘administrator’ i grupit dhe mund të variojnë nga shikimi i filmave horror deri tek zgjimi në orë të çuditshme, dhe përfundon me vetëvrasjen e lojtarit të fundit.

Loja, e cila thuhet se filloi në Rusi, ka shkaktuar vdekje të shumta në mbarë botën, mes të cilëve shumë të mitur.