Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të rimarrin kontrollin e bazës ajrore të Bagramit në Afganistan, mbi katër vjet pas tërheqjes së trupave amerikane dhe mbylljes së luftës pothuajse 20-vjeçare në atë vend. Pentagoni nuk pranoi të komentojë mbi pretendimet e Trump, të cilat ai i bëri për Newsweek. Bagrami, që dikur ishte qendra kryesore ushtarake e SHBA-së në veri të Kabulit, ndodhet nën kontrollin e talebanëve që prej vitit 2021, kur ata rikthyen pushtetin pas tërheqjes së ushtrisë amerikane. Pas kësaj periudhe, Afganistani është përballur me varfëri të thelluar, shtim të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kufizime të ashpra mbi gratë. Marrëveshja e tërheqjes u negociua nga Trump gjatë mandatit të tij, por u realizua në kohën e administratës së Joe Biden, gjë që ka shkaktuar debate të ashpra në Washington mbi përgjegjësitë mes dy palëve.

Rikthimi në Afganistan

Gjatë një konference për shtyp në Mbretërinë e Bashkuar, Trump tha se dëshironte të largohej nga Afganistani “me forcë dhe dinjitet”, duke ruajtur gjithsesi Bagramin, të cilin e quajti “një nga bazat ajrore më të mëdha në botë”. “Ne ua dhamë atyre falas. Tani po përpiqemi ta marrim mbrapsht”, tha ai, duke nënvizuar edhe rëndësinë gjeopolitike të bazës për shkak të afërsisë me Kinën. Sipas tij, Bagrami ndodhet “vetëm një orë larg vendit ku Kina prodhon armët e saj bërthamore”. Ushtarët e fundit amerikanë u larguan nga aty në korrik 2021, përpara se forcat afgane ta dorëzonin shpejt bazën në duart e talebanëve.

Rivaliteti me Kinën

Trump theksoi se kontrolli mbi Bagramin do t’i shërbente SHBA-ve jo vetëm për qëllime ushtarake në rajon, por edhe për të mbajtur nën vëzhgim Kinën, e cila po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj bërthamor. Ai vlerësoi se baza është “një nga më të fuqishmet në botë” për nga gjatësia e pistës dhe aftësia për të pritur çdo lloj avioni. Nga ana e saj, Kina reagoi duke theksuar se “respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Afganistanit”, ndërsa ekspertët vlerësojnë se Pekini do të ushtrojë presion maksimal mbi talebanët për të penguar rikthimin e SHBA-së në territorin afgan.

Synimet dhe dilemat

Përveç mbikëqyrjes së Kinës, një rikthim në Bagram do të ndihmonte edhe në luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e pranisë amerikane në rajon. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse SHBA-të kanë hapur bisedime konkrete me talebanët mbi këtë çështje. Eksperti Bill Roggio nga Long War Journal paralajmëroi se administrata Trump duhet të shmangë dhënien e lëshimeve të panevojshme talebanëve, pasi ekziston rreziku që, pavarësisht çdo marrëveshjeje, SHBA-të të mbeten pa qasje reale në bazë. Ndërkohë, vetë talebanët po përpiqen të rehabilitojnë imazhin e tyre ndërkombëtar, duke ndërmarrë hapa si lirimi i qytetarit amerikan George Glezmann në mars, në kuadër të përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet me Uashingtonin.