Një procedurë kirurgjikale inovative ka lejuar rindërtimin e hundës së një djali 10-vjeçar të sulmuar nga një kafshë. Kjo u realizua në Spitalin e Fëmijëve Bambino Gesù në Romë të Italisë dhe merita i shkon ekipit të kirurgjisë plastike. Ravi (nuk është emri i tij i vërtetë) mbërriti nga India me një gjymtim të rëndë të fytyrës: një kafshë i kafshoi hundën dhe një pjesë të buzës së sipërme. Operacioni kompleks kërkoi përdorimin e modeleve 3D dhe printimeve të zhvilluara nga Njësia e Avancuar e Imazheve Kardiotorakovaskulare dhe Fetale.

Ky operacion përfaqëson një moment historik në kirurgjinë plastike pediatrike, shpjegoi Dr.Mario Zama, kreu i Njësisë së Kirurgjisë Plastike dhe Maksilofaciale të Spitalit.

Jo vetëm që kemi rikthyer një pjesë themelore të pamjes fizike të Ravit, por i kemi dhënë atij mundësinë për të jetuar një jetë më të qetë dhe dinjitoze.

Një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat u përball ekipi i spitalit ishte mungesa e plotë e hundës. Zakonisht, prania e një pjese të mbetur të organit është një referencë e vlefshme për rindërtim. Për të siguruar suksesin e operacionit, laboratori 3D u përfshi për të krijuar modele besnike ndaj kafkës së fëmijës. Më pas u zgjodh hunda që i përshtatej më mirë formës së fytyrës së Ravit.

Rindërtimi kirurgjikal i buzës së sipërme u krye duke përdorur një teknikë të ngjashme me atë për kirurgjinë e buzës dhe qiellzës së çarë. Megjithatë, për kirurgjinë e hundës, ishte thelbësore të studioheshin raste të ngjashme klinike përpara se të vazhdohej me tre fazat e procedurës: rreshtimi i jashtëm, rreshtimi i brendshëm (mukoza) dhe pjesa skeletore/kërcore.

Një nga hapat më delikatë, padyshim ishte rreshtimi i jashtëm, i cili kërkonte një copë lëkure dhe muskujsh nga balli. Kjo teknikë lejon rezultatin më natyral të mundshëm. Pengesa e fundit ishte rindërtimi i skeletit mbështetës, i cili kërkonte shartime kërcore të marra nga brinja.

Me këto procedura, ne ishim në gjendje të rindërtonim hundën e Ravit nga e para. Një rezultat i jashtëzakonshëm, i bërë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë midis kirurgëve plastikë, inxhinierëve, radiologëve, anestezistëve, reanimatorëve e specialistëve të tjerë në spital, tha Dr. Zama.