Japonia po avancon edhe më tej në drejtim të automatizimit, duke nisur testimin e robotëve humanoidë në një nga aeroportet më të ngarkuara të vendit, Haneda Airport. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të përballojë mungesën në rritje të punonjësve në sektorin e aviacionit.

Në këtë fazë pilot, po përdoren modele të avancuara si Unitree G1 dhe UBTECH Walker E, të cilët janë projektuar për të kryer detyra fizike intensive, përfshirë menaxhimin e bagazheve dhe lëvizjen e ngarkesave në pistë.

Projekti po zhvillohet nga Japan Airlines në bashkëpunim me GMO AI & Robotics dhe pritet të zgjasë rreth dy vite, duke nisur nga muaji maj. Gjatë kësaj periudhe, do të vlerësohet efikasiteti dhe integrimi i robotëve në operacionet e përditshme.

Industria ajrore japoneze po përballet me sfida të mëdha, pasi kërkesa për punë po rritet ndjeshëm për shkak të shtimit të turistëve, ndërkohë që numri i punonjësve në moshë aktive po bie. Aktualisht, vetëm Japan Airlines operon me mijëra punonjës në shërbimet tokësore, por kjo nuk po mjafton për të përballuar fluksin.

Me këtë nismë, synohet që robotët të marrin përsipër detyrat më të lodhshme dhe të përsëritshme, duke lehtësuar punën e stafit njerëzor dhe duke rritur efikasitetin operacional. Në fazat e ardhshme, parashikohet që këto sisteme të përdoren edhe për pastrimin e avionëve dhe për operacione të tjera mbështetëse në aeroport.

Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se funksione të rëndësishme, veçanërisht ato që lidhen me sigurinë dhe vendimmarrjen kritike, do të mbeten në dorën e njerëzve.

Rritja e fortë e turizmit në Japan – me miliona vizitorë vetëm në muajt e parë të vitit – ka shtuar presionin mbi infrastrukturën ajrore, duke e bërë këtë projekt një hap të rëndësishëm drejt një modeli të ri bashkëpunimi mes teknologjisë dhe fuqisë punëtore njerëzore.