Një robot humanoid u bë atraksioni kryesor i ditës së dytë të një konference ndërkombëtare mbi inteligjencën artificiale në arsim, e organizuar në Shtëpia e Bardhë nga Melania Trump.
Roboti shoqëroi zonjën e parë përgjatë një korridori dhe më pas përshëndeti të ftuarit në disa gjuhë, duke demonstruar potencialin e teknologjisë në komunikim dhe edukim.
Konferenca zhvillohet në kuadër të nismës së saj “Nxitja e së Ardhmes”, e cila synon përmirësimin e jetës së fëmijëve përmes arsimit dhe teknologjisë. Në këtë kuadër, Melania Trump do të presë edhe bashkëshortet e liderëve botërorë për të diskutuar rolin e inteligjencës artificiale në edukim.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si njerëzit aksesojnë dijen, duke shtuar se është përgjegjësi e institucioneve të sigurojnë që brezi i ri të pajiset me njohuritë dhe aftësitë e duhura teknologjike.
Konferenca, e prezantuar fillimisht në Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ka mbledhur përfaqësues nga 45 vende dhe është fokusuar në tema si aftësitë dixhitale, siguria online dhe teknologjitë arsimore (EdTech).
Në ditën e dytë, Brigitte Macron theksoi rreziqet e përdorimit të teknologjisë, veçanërisht fenomenin e deepfake, duke bërë thirrje për masa mbrojtëse ndaj manipulimeve dixhitale.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e kufizimit të përdorimit të pajisjeve elektronike nga fëmijët e vegjël, sidomos nën moshën tre vjeç, si dhe nevojën për kontroll më të madh të ekspozimit ndaj mediave sociale.
