Tetë nigerianë të akuzuar për mashtrim në internet u akuzuan në një gjykatë të Afrikës së Jugut pas një operacioni masiv ndërkombëtar që përfshinte edhe FBI dhe Interpolin.

Autoritetet në SHBA, ku filloi hetimi dhe nga ku janë shumica e viktimave të mashtruesve kibernetikë, kanë aplikuar për ekstradimin e tyre.

Ata akuzohen për mashtrim të më shumë se 100 viktimave në një shumë prej gati 7 milion dollarë, të shtrirë në dhjetë vite.

Autoritetet afrikane thanë se ky ishte operacioni më i madh në vend i këtij lloji. Të dyshuarit, të moshës midis 33 dhe 52 vjeç, u arrestuan në Cape Toën të martën pas një kërkese nga SHBA.

Besohet se FBI dhe Shërbimi Sekret i SHBA-së udhëhoqën hetimin dhe punuan me autoritetet e Afrikës së Jugut, duke përfshirë njësinë elitare të policisë, Haëks.

Të arrestuarit kërkohen në Teksas dhe Nju Xhersi për një sërë veprash penale, përfshirë komplotin për të kryer mashtrim me postë elektronike, pastrim parash dhe vjedhje të rëndë identiteti.

Dyshohet se ata janë anëtarë të “Sëpatës së Zezë”, një sindikatë kriminale të organizuar ndërkombëtare e themeluar nga nigerianët, specialitetet e së cilës përfshijnë pastrimin e parave përmes llogarive të ndryshme.

Të arrestuarit hynin me profile të rreme në faqet e internetit për takime dhe shënjestronin vejushat, ose gratë e divorcuara nga e gjithë bota, të cilave u mbushnin mendjen se ishte një lidhje romantike. Më pas, përmes këtij mashtrimi u merrnin të dhënat personale, nga të cilat u boshatisin llogaritë bankare.

Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë mbi 20 vite burg.