Shanset e kandidatit republikan për fitore zvogëlohen çdo ditë


Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney, duket se ka humbur edhe një nga avantazhet e pakta që dispononte kundrejt Presidentit aktual Barack Obama, pasi ka zhgënjyer votuesit e moshës së tretë, bën të ditur “Reuters”. Brezi i amerikanëve mbi 60 vjeç, të cilët njihen në histori si gjenerata e hipive, në fakt gjatë viteve të fundit ka shfaqur bindje të fuqishme konservatore dhe republikane. Në sondazhet e mëparshme, ky brez votuesish pati deklaruar mbështetje të gjerë për konservatorët, të cilët kishin një avantazh prej 20 pikësh në krahasim me demokratët. Por në sondazhin e fundit, ky avantazh është ulur në më pak se 4 pikë. Në gjuhën politike amerikane, një pikë është e barabartë me 1 për qind të votave.


Preferenca e votuesve të brezit të tretë mund të ndryshojë në gjashtë javët e ardhshme deri sa të vijnë zgjedhjet e 6 nëntorit, por sondazhi i “Reuters” tregon se disa ngjarje të ditëve të fundit kanë qenë shkaku i ndryshimit të balancave. Mbështetja që Obama mori nga ish-presidenti Bill Clinton, si dhe debati mbi programin e sigurimit shëndetësor universal, qenë dy faktorë të rëndësishëm që u ndërruan mendjen votuesve të moshuar. Kjo konsiderohet si një goditje pothuajse fatale për Romney-n, pasi të moshuarit përbëjnë një numër të madh të elektoratit amerikan dhe ndryshe nga mbështetësit e Obamës, janë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës së tyre. Obama mbështetet nga të rinjtë dhe minorancat, të cilët në të shkuarën shpesh kanë përtuar të votojnë, pavarësisht bindjes politike.


Goditja fatale për Romney-n duket se erdhi nga publikimi i videove sekrete që ishin filmuar gjatë një takimi për mbledhje fondesh mes të pasurve, ku kandidati republikan fyente gjysmën e popullatës amerikane si përfituese neto nga sistemi aktual fiskal. Mes këtyre, janë edhe shumë të moshuar, të cilët përfitojnë nga programet e sigurisë shoqërore dhe sigurimit shëndetësor. Analistët thonë se në rast se Romney nuk arrin të rikthejë besimin që gëzonte mes të moshuarve, ai nuk do të jetë në gjendje të fitojë.


“Nëse Romney humbet të moshuarit, ai humbet këto zgjedhje”, thotë Jonathan Oberlander, një specialist i shëndetit publik në Universitetin e Karolinës së Veriut. “Një shfaqje negative për të moshuarit në rang kombëtar nuk sjell gjëra të mira për shtete si Florida, ku të moshuarit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë”, shtoi ai, duke iu referuar shteteve që mund të përcaktojnë kandidatin fitues, për shkak se në të shkuarën kanë votuar herë majtas dhe herë djathtas, duke ndryshuar bilancin kombëtar. Kampi i Obamës tashmë po përpiqet ta konsolidojë këtë fitore përmes një fushate reklamash për programin e kujdesit shëndetësor universal. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i fundit mes botës së zhvilluar që nuk kishin kujdes shëndetësor për të gjithë popullsinë.