Zgjedhjet amerikane


Kandidati për president filmohet fshehtazi mbi komente të pakëndshme për votuesit e kundërshtarit


Kandidati republikan, Mitt Romney, duket se bëri një gafë tjetër kur u regjistrua fshehtazi, ndërsa fliste para një grupi donatorësh të pasur të fushatës së tij. Ai tha disi i mërzitur se 47 për qind e amerikanëve që aktualisht mbështesin Presidentin Obama “nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale” dhe “janë në varësinë e qeverisë”. Sipas tij, ishte e pamundur që ai ta bindë këtë kategori amerikanësh të ndryshojë mendje. Publikimi i videos pritet të vështirësojë më tej punët për guvernatorin Romney, i cili është akuzuar shpesh nga demokratët si një super i pasur pa kontakte me amerikanët e zakonshëm. Romney mbajti një konferencë për shtyp pas publikimit të videos dhe deklaroi se nuk kishte përdorur elegancën e duhur kur i tha ato fjalë, por i qëndroi asaj çfarë kishte deklaruar para mbështetësve të tij të pasur.


Demokratët përfituan menjëherë duke i dënuar këto komente dhe duke deklaruar se Romney ka shpallur të falimentuar gjysmën e kombit. Fushata për zgjedhjet presidenciale ka hyrë në 50-ditëshin e fundit, kohë gjatë së cilës edhe më të pavendosurit fillojnë të anojnë nga një kandidat apo një tjetër.


Romney ishte përpjekur gjatë këtyre ditëve të përqendrojë debatin te mirëqenia e shtresës së mesme, duke kryer një fushatë reklamash me këtë target. Por videoja e publikuar rrezikon ta tërheqë atë edhe një herë në debatin e papëlqyer të planit të tij fiskal, të cilin shumë ekspertë e debatojnë, por për popullatën interpretohet thjesht si çështja e një të pasuri që kërkon të heqë taksat për veten.


Video ishte regjistruar kur Romney u takua me një grup mbështetësish të pasur, që të gjithë të gatshëm për të dhënë 50 mijë dollarë secili për fushatën e tij. Romney e përshkruan fushatën e tij si një përpjekje që nuk synon të tërheqë ata amerikanë të varfër që do të votojnë për Obamën. “Ata janë në varësi të qeverisë, e cila beson se ato janë viktima dhe beson se qeveria ka përgjegjësinë të kujdeset për ta”, tha Romney. “Puna ime është të mos shqetësohem për këta njerëz. Nuk do të arrij kurrë t’i bind se duhet të marrin përgjegjësi personale dhe të kujdesen për jetët e veta”, komenton më tej kandidati republikan. Ai u pyet nga gazetarët në konferencën për shtyp pas publikimit të videos, nëse është e vërtetë se ai përdor gjuhë tjetër kur u flet donatorëve të pasur dhe gjuhë tjetër kur i flet publikut të përgjithshëm.


Aktualisht, Presidenti Obama mbështetet nga 47 për qind e amerikanëve, tre-katër për qind më shumë se sa Romney. Jim Messina, menaxheri i fushatës së Obamës, tha në një deklaratë se ishte “tronditur” nga ajo që Romney deklaron “pas dyerve të mbyllura”. Ai dërgoi një thirrje tjetër për donacione për Obamën, duke thënë se “dikush që flet me neveri për gjysmën e amerikanëve” nuk meriton të bëhet president.


Romney deklaroi se 47 për qind e amerikanëve janë nën varësinë e qeverisë, një shifër kjo që ka dalë nga një studim fiskal, ku thuhet se gjatë vitit 2011, 46.2 për qind e familjeve amerikane nuk ka paguar taksën federale të të ardhurave, për shkak se kishin më pak të ardhura nga minimumi ligjor.