Kandidati
Kandidati republikan për president, Mitt Romney, pranoi për herë të parë se komentet e tij negative mbi 47 për qind të amerikanëve, të cilët i konsideroi si njerëz nën varësinë e qeverisë, ishin “tërësisht të gabuara”. Ai i tha “Fox News” se ishte i angazhuar të ndihmojë “100 për qind të amerikanëve”.
Komentet e tij ishin filmuar fshehtas gjatë një takimi për mbledhje fondesh në maj dhe ndoshta kanë qenë komentet më dëmtuese për të deri më sot. Sondazhet tregojnë se Romney ka rikuperuar në krahasim me Obamën pas fitores që realizoi në debatin e parë televiziv.
Romney ishte filmuar në maj, duke thënë se ai nuk kishte ndër mend të kërkonte votat e 47 për qind të amerikanëve që nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale. Kur video u publikua disa javë më parë, ai nuk e tërhoqi deklaratën, duke argumentuar se kishte thënë diçka të vërtetë, pavarësisht se e kishte thënë në mënyrë joelegante.
Por dje ai shkoi më tutje. “Është e qartë se në një fushatë me qindra e ndoshta mijëra fjalime dhe seanca pyetje-përgjigje, shpesh shkon të thuash diçka që nuk del siç duhet”, tha Romney. “Në këtë rast unë thashë diçka tërësisht të gabuar. Absolutisht besoj se jeta ime ka treguar se unë jam i shqetësuar për 100 për qind. Kur të bëhem president, do të ndihmoj 100 për qind.”