Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 13-vjeçar ka sulmuar me thikë mësuesen e tij në një shkollë në provincën e Bergamos, duke zbuluar më pas detaje shqetësuese mbi planin e tij.

Sipas raportimeve, i mituri kishte organizuar gjithçka në detaje, duke blerë paraprakisht armën dhe duke menduar madje edhe transmetimin e sulmit në rrjetet sociale.

Pas ndalimit, ai ka pranuar se kishte qëllim të qartë për të kryer aktin dhe ka treguar se kishte marrë në konsideratë edhe mundësinë për të dëmtuar prindërit e tij, pavarësisht se marrëdhëniet familjare dukeshin normale.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të kuptuar motivet dhe ndikimet e mundshme, përfshirë aktivitetin e tij online dhe kontaktet në rrjetet sociale, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në shkolla dhe shëndetin mendor të të miturve.

Për shkak të moshës, i mituri nuk mban përgjegjësi penale dhe është vendosur nën kujdesin e shërbimeve sociale, ndërsa pritet të kryhen vlerësime të mëtejshme psikologjike.