Një grua që pretendon se ka punuar si asistente e financierit amerikan Jeffrey Epstein ka ndarë një dëshmi të re për BBC, ku përshkruan mënyrën se si, sipas saj, ai ushtronte kontroll psikologjik, emocional dhe financiar mbi gratë që e rrethonin, përpara se t’i shfrytëzonte seksualisht.

Gruaja, e cila identifikohet me pseudonimin Anya për të mbrojtur identitetin e saj, rrëfen se jetoi për disa vite në një nga apartamentet e Epstein në Manhattan, së bashku me gra të tjera që punonin për të.

Sipas saj, pas vdekjes së Epstein në vitin 2019, vëllai i tij, Mark Epstein, i kërkoi të largohej nga banesa. Ky i fundit ka mohuar më herët se kishte dijeni për aktivitetet kriminale të vëllait të tij.

Anya thotë se edhe sot përpiqet të kuptojë ndikimin që ajo përvojë ka pasur në jetën e saj.

“Ende po përpiqem të pajtohem me faktin se jam abuzuar për vite me radhë. Nuk isha e lidhur me zinxhirë apo e mbyllur në një bodrum. Zinxhirët ishin të padukshëm, por ekzistonin”, shprehet ajo.

Sipas dëshmisë së saj, Epstein kishte krijuar një sistem ku gratë vareshin prej tij në çdo aspekt të jetës, duke kontrolluar punën, financat dhe marrëdhëniet e tyre personale.

“Ishte si drejtuesi i një sekti. Gjithçka sillej rreth tij dhe ai vendoste për çdo gjë”, rrëfen Anya.

Ajo tregon se gjithçka nisi kur punonte si modele në Evropë. E lindur në Rusi dhe e rritur në një familje që vlerësonte arsimin, ajo kishte bashkëpunuar me marka të njohura të modës si Fendi dhe Chanel.

Njohja me Epstein, sipas saj, erdhi përmes skautit të modeleve Daniel Siad, i cili i premtoi mundësi të rëndësishme në industrinë e modës. Në atë kohë, Anya besonte se po i hapej një derë e rëndësishme për karrierën.

“Dikur pyesja veten çfarë do të kishte ndodhur po të mos kisha hyrë atë ditë në agjenci. Sot besoj se ishte një kurth i planifikuar”, tha ajo.

Avokati i Daniel Siad ka deklaruar më parë se klienti i tij nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein.

Takimi i parë mes tyre u zhvillua në apartamentin e Epstein në Paris. Anya kujton se nuk u ndje e rrezikuar, pasi në banesë ndodheshin edhe gra të tjera. Ajo thotë se Epstein tregoi interes për jetën dhe ambiciet e saj, duke krijuar një ndjenjë besimi.

Madje, sipas saj, ai i kishte thënë se nuk kishte interes të krijonte një marrëdhënie intime me të, gjë që e bëri të ulte vigjilencën.

Për muaj me radhë, Anya thotë se u mbajt me premtime për kontrata modelingu dhe takime me drejtues të agjencive prestigjioze, ndërsa Epstein kontrollonte vazhdimisht pamjen e saj fizike dhe e shtynte të ndryshonte trupin sipas kërkesave të tij.

Vetëm vite më vonë, pasi u publikuan dokumente gjyqësore lidhur me çështjen Epstein, ajo zbuloi se disa nga premtimet që i ishin bërë nuk kishin qenë kurrë reale.

“Atëherë kuptova se gjithçka kishte qenë një manipulim shumë i sofistikuar. Më kishte mbajtur me shpresa të rreme”, rrëfen ajo.

Anya pretendon se më vonë u përball edhe me abuzim seksual dhe se për një kohë të gjatë e vuri në dyshim perceptimin e saj për atë që kishte ndodhur, duke menduar se problemi mund të ishte tek vetja.

Dëshmia e saj është një nga rrëfimet më të fundit që hedhin dritë mbi mënyrën se si, sipas viktimave, Jeffrey Epstein ndërtonte marrëdhënie besimi dhe varësie me gratë që më pas pretendonin se ishin shfrytëzuar prej tij.