Policia australiane ka lëshuar një apel të pazakontë publik, duke u kërkuar rrëmbyesve që të lirojnë sa më shpejt një 80-vjeçar, pasi dyshohet se ai është marrë gabimisht. Sipas autoriteteve, tre persona rrëmbyen të premten 80-vjeçarin Chris Baghsarian nga banesa e tij në North Ryde, një periferi në veri të Sydney.

“Jam 100% i sigurt se rrëmbyesit morën personin e gabuar,” deklaroi për mediat Andrew Marks, oficer i policisë që drejton shërbimin e ndjekjes penale për krime të rënda. Sipas një raportimi të ABC, autorët synonin të rrëmbenin një person të lidhur me një rrjet kriminal në perëndim të Sidneit. Megjithatë, gjyshi i marrë peng “nuk ka asnjë përfshirje” në botën e krimit, theksoi Marks.

“Ky nuk është një rast ku dikush rrëmbehet rastësisht. Rrëmbyesit kishin në shënjestër një person specifik, por bënë një gabim,” shpjegoi ai, duke pranuar se kërkesa publike për lirimin e pengut ishte “shumë e çuditshme”.

Në momentin e rrëmbimit, viktima mbante veshur pizhame gri dhe një këmishë flanele të kuqe e të gjelbër. Sipas policisë, ai ka nevojë për kujdes të përditshëm mjekësor. Raportohet gjithashtu se video dhe fotografi të z. Baghsarian, i plagosur, po qarkullojnë në qarqe të botës së krimit në Sidnei. Ndërsa familjarët janë të tronditur nga ngjarja, z. Marks u përpoq të qetësojë opinionin publik, duke theksuar se pavarësisht gabimit “shqetësues”, banorët që kanë prindër apo gjyshër të moshuar “nuk kanë arsye të shqetësohen”.