Pesë persona janë vënë në pranga në Francë pas rrëmbimit të një gjyqtareje dhe nënës së saj, të cilat u mbajtën peng për më shumë se një ditë në një skemë zhvatjeje të lidhur me kriptomonedhat.

Sipas prokurorit të Lionit, Thierry Dran, katër burra dhe një grua u arrestuan, tre prej tyre gjatë natës dhe dy të tjerë në orët e para të mëngjesit. Dy viktimat, një gjyqtare 35-vjeçare dhe nëna e saj 67-vjeçare, u gjetën të premten në mëngjes në një garazh në zonën e Drôme, në juglindje të vendit, të dëmtuara fizikisht por jashtë rrezikut për jetën.

Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se dy prej të dyshuarve u kapën teksa tentonin të largoheshin drejt Spanjës me autobus. Ndërkohë, policia vijon kërkimet për persona të tjerë të mundshëm të përfshirë. Sipas një burimi tjetër, gruaja e arrestuar është partnerja e njërit prej të dyshuarve.

Rrëmbimi mobilizoi rreth 160 efektivë policie, pasi partneri i gjyqtares mori një mesazh dhe fotografi nga autorët, të cilët kërkonin pagesë shpërblimi në kriptomonedha dhe kërcënonin se do t’u shkaktonin dëmtime viktimave nëse paratë nuk transferoheshin.

Ngjarja mori fund kur dy gratë arritën të tërhiqnin vëmendjen duke goditur derën e vendit ku mbaheshin. Një banor i zonës dëgjoi zhurmat, hapi garazhin dhe u dha ndihmë, duke bërë të mundur shpëtimin e tyre pa u paguar asnjë shumë shpërblimi.