Sipas shërbimeve sekrete gjermane dhe holandeze, Rusia e ka shtuar përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Kjo tregon se lufta po zhvillohet me një brutalitet dhe intensitet gjithnjë e më të madh. 

Sipas Shërbimit Sekret Gjerman BND dhe dy agjencive holandeze të shërbimit sekret MIVD dhe AIVD, Rusia po rrit përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Qeveria gjermane i konfirmoi njoftimet për përdorimin e kloropikrinës, një lëndë kimike luftarake që dëmton mushkëritë. Në përqendrime të larta në hapësira të mbyllura kloropikrina, e cila është përdorur edhe gjatë Luftës I Botërore, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. 

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe i armëve të tjera kimike nga Rusia në luftën në Ukrainë, përbën shkelje të rëndë marrëveshjes për ndalimin e përdorimit të lëndëve kimike,  tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius. 

Rrezik edhe për pjesën tjetër të Evropës dhe botën 

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, informoi Parlamentin në Hagë rreth informacioneve të shërbimeve sekrete, se Rusia përdor armë kimike në mënyrë sistematike dhe në shkallë të gjerë. 

“Ky është një zhvillim i rrezikshëm, krejtësisht i papranueshëm dhe tregon edhe një herë brutalitetin e agresorit me të cilin po përballet Ukraina” – tha ai. Përdorimi i armëve kimike në konflikte nga Rusia është gjithashtu rrezik për “pjesën tjetër të Evropës dhe për botën”, tha Brekelmans. 

Edhe Britania e Madhe dhe SHBA e akuzuan vitin e kaluar Rusinë për përdorimin e armës kimike kloropikrinë kundër ushtarëve ukrainas. 

Rusia investon shumë në programin e saj të armëve kimike 

Sipas vëzhgimeve të BND, MIVD dhe AIVD, udhëheqja ruse dhe forcat e saj të mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike e mbështesin dhe e nxisin në mënyrë aktive përdorimin e armëve kimike të ndaluara. Ka shumë të ngjarë që kjo të vazhdojë të përbëjë një kërcënim. 

Përveç kësaj Rusia po investon shumë në programin e saj të armëve kimike. Hulumtimet në këtë fushë po zgjerohen dhe po rekrutohen shkencëtarë të rinj. 

Ministri ukrainas i Mbrojtjes deklaroi se Rusia ka përdorur deri tani mbi 9,000 herë armë kimike kundër trupave ukrainase. Sipas Ukrainës të paktën tri vdekje mund t’u atribuohen drejtpërdrejt efekteve të armëve kimike. /DW/