Gjermania po përballet me një rrezik gjithnjë e më të madh për t’u përfshirë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Paralajmërimi është bërë nga kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës gjermane, Martin Jaeger, gjatë një seance publike të Komisionit Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve Sekrete në Bundestag.

Jaeger deklaroi se përballja me Moskën ka hyrë në një fazë të re dhe më të rrezikshme, duke përmendur edhe tentativën për atentat në Lajpcig si një nga rastet që dëshmojnë nivelin e kërcënimit ndaj Gjermanisë.

Sipas kreut të inteligjencës së jashtme gjermane, Rusia përbën aktualisht kërcënimin më të drejtpërdrejtë, të gjerë dhe konkret për vendin.

Ai paralajmëroi se shërbimet sekrete ruse po veprojnë me një nivel të lartë profesionalizmi dhe pa kufizime, ndërsa rreziku për sulme ndaj objektivave në territorin gjerman mbetet real dhe i menjëhershëm.

Estonia forcon pozicionet pranë kufirit rus

Në të njëjtën kohë, tensionet në krahun lindor të NATO-s po shoqërohen me masa të reja ushtarake nga Estonia.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, vendi baltik po zhvendos një nga brigadat e tij kryesore drejt Jõhvi-t, rreth 50 kilometra larg kufirit me Rusinë.

Lëvizja vjen në kuadër të strategjisë së “mbrojtjes aktive”, përmes së cilës Estonia synon të frenojë çdo agresion të mundshëm që në fazat e para.

Krahas përqendrimit të trupave pranë kufirit, autoritetet estoneze po ndërtojnë një bazë të re në Narvë dhe po investojnë në rritjen e kapaciteteve të goditjes me rreze të gjatë.

Në këtë kuadër përfshihen edhe sistemet amerikane HIMARS dhe ato koreano-jugore Chunmoo, duke sinjalizuar përgatitje më të mëdha për përballimin e një skenari të mundshëm agresioni nga Moska.