13 persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël turistik në Peru, gjatë një fluturimi mbi vijat e famshme të Nazcasë. Asnjë prej personave që ndodheshin në bord nuk ka mbijetuar. Mes viktimave janë shtatë shtetas italianë, dy gjermanë, dy spanjollë, si dhe dy anëtarët peruanë të ekuipazhit. Ministria e Jashtme italiane, përmes Farnesinës, konfirmoi vdekjen e shtetasve të saj dhe bëri të ditur se Ambasada italiane në Lima është në kontakt me autoritetet peruane për të ndjekur situatën.

Avioni i kompanisë ajrore Aerodiana, një Cessna Grand Caravan, ishte nisur nga qyteti i Piskos dhe po drejtohej drejt aeroportit “Maria Reiche”, pasi kishte kryer fluturimin panoramik mbi vijat e Nazcasë. Sipas të dhënave paraprake, mjeti fluturues ka humbur papritur lartësi për shkaqe ende të paqarta dhe është rrëzuar në një zonë bujqësore. Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje, por flakët që përfshinë avionin e bënë të pamundur çdo përpjekje për shpëtim. Prokuroria ka urdhëruar transportimin e trupave në morgun e rajonit të Ikës.

Sipas një njoftimi të Farnesinës, aksidenti ka ndodhur në kushte të këqija atmosferike. “Ambasada e Italisë në Lima është vënë në kontakt me autoritetet peruane, nga të cilat ka marrë konfirmimin për vdekjen e pasagjerëve. Familjet e shtetasve italianë janë njoftuar në Itali”, thuhet në deklaratë. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka qëndruar në kontakt me ambasadorin italian në Lima, i cili ka dërguar staf në vendin e aksidentit. Ndërkohë, ministritë peruane të Transportit, Turizmit dhe Punëve të Jashtme po koordinojnë veprimet me ambasadat e vendeve të përfshira. Autoritetet peruane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit.

Gjatë orëve të vona të natës u bë edhe identifikimi i viktimave, bazuar në planin e fluturimit dhe listën e pasagjerëve të kompanisë Aerodiana. Viktimat italiane janë dy gra, të moshës 58 dhe 57 vjeç, dhe pesë burra, mes tyre një 18-vjeçar dhe dy 24-vjeçarë. Sipas radios lokale “RPP”, e cila ka siguruar listën e pasagjerëve, ata janë identifikuar si:

  • Elena Sala, 58 vjeçe
  • Matteo Gianturco, 24 vjeç
  • Lorenzo Angelucci, 24 vjeç
  • Massimo Angelucci, 58 vjeç
  • Cristina Maria Bianco, 57 vjeçe
  • Paolo Gianturco, 59 vjeç
  • Pietro Gianturco, 18 vjeç

Sipas mediave italiane, viktimat ishin pjesë e dy familjeve mike me njëra-tjetrën. Në bordin e avionit ndodheshin gjithashtu shtetasit gjermanë Andreas Hofmann, 78 vjeç, dhe Gertrud Maria Hofmann, 77 vjeçe, si dhe shtetasit spanjollë Alfredo Aviles Muñoyerro, 52 vjeç, dhe Ana Isabel Sánchez Muñoz, 52 vjeçe. Dy anëtarët peruanë të ekuipazhit ishin piloti Americo Alejandro Salazar Cuellar dhe bashkëpiloti Irenka Del Carpio Guanilo. Kjo zonë ka regjistruar edhe më herët aksidente të ngjashme. Në vitin 2022, shtatë persona humbën jetën në një tjetër aksident ajror pranë vijave të Nazcasë, ndërsa në vitin 2010 humbën jetën katër turistë britanikë dhe dy anëtarë të ekuipazhit peruan.