Një avion i vogël është rrëzuar të hënën në landin Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave që ndodheshin në bord.
Avioni, një Cessna 172 me katër vende, ishte nisur gjatë paradites nga një zonë në veri të Utrechtit, në Holandë. Pasi hyri në hapësirën ajrore gjermane, ai u rrëzua rreth orës 11:20 pranë fshatit Gerderath, në afërsi të Erkelenzit.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni përfundoi në një fushë dhe pësoi dëmtime të rënda si pasojë e përplasjes.
Policia konfirmoi se në bord ndodheshin tre persona. Të tre humbën jetën në vendngjarje.
Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike.
Ndërkohë, ekipet hetimore kanë nisur punën për përcaktimin e shkaqeve të rrëzimit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Hetimet vijojnë.
