Gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni privat në Kolumbi. Mes tyre ka qenë edhe këngëtari i njohur kolumbian 34-vjeçar, Jason Jimenez, shumë i njohur në vendin e tij dhe në disa vende të Amerikës Latine.

Sipas autoriteteve, nga aksidenti ajror nuk ka pasur të mbijetuar. “Nuk ka të mbijetuar”, deklaroi për Caracol Radio koloneli i aviacionit Alvaro Bello, përfaqësues i Autoritetit Kolumbian të Aviacionit Civil.

Mediat e huaja shkruajnë se avioni privat u rrëzua pranë aeroportit të Paipës, ndërsa ishte në fluturim drejt Medelln-it, në pjesën veriperëndimore të vendit, njoftoi Ministria e Transporteve e Kolumbisë.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e përplasjes së avionit në një zonë rurale, si dhe shpërthimin e një zjarri menjëherë pas rrëzimit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera zyrtare.