Kriza politike në Rumani është thelluar pasi Parlamenti nuk ka miratuar kandidaturën e eurodeputetit liberal Siegfried Muresan për postin e kryeministrit.
Muresan siguroi 182 vota, ndërsa për të marrë dritën jeshile për formimin e qeverisë nevojiteshin 233 vota. Votimi shënon një tjetër dështim në përpjekjet e presidentit Nicuşor Dan për të krijuar një qeveri të re, pas rënies së kabinetit të drejtuar nga Ilie Bolojan.
Më herët, Dan kishte propozuar edhe Eugen Tomac dhe Adrian Vestea. Tomac u tërhoq përpara se kandidatura e tij të hidhej në votim, ndërsa Vestea nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Pas votimit të fundit, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), forca e dytë më e madhe në Parlament, përsëriti kundërshtimin ndaj kandidatëve të presidentit dhe kërkoi organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në të njëjtën linjë është edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila disponon 129 mandate dhe ka deklaruar se nuk do të mbështesë kandidatët e propozuar nga Dan. Socialdemokratët kërkojnë që kreu i ardhshëm i qeverisë të dalë nga radhët e tyre.
Përplasja politike vjen në një periudhë të vështirë ekonomike për Rumaninë. PSD u largua nga qeveria në prill, duke kundërshtuar masat e kursimit të ndërmarra për reduktimin e deficitit buxhetor, i cili mbetet më i larti në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, PSD dhe AUR bashkuan votat për rrëzimin e qeverisë së Bolojan. Në mungesë të një kryeministri të ri, Bolojan ka vijuar të qëndrojë në detyrë, ndërsa vendi përballet me pasiguri të mëtejshme politike.
