Dhuna ndaj grave në Gjermani vijon të rritet ndërsa sipas statistikave të vitit 2025, rreth 209 gra dhe vajza humbën jetën si pasojë e dhunës në familje, ndërsa 130 prej tyre u vranë nga partnerët ose ish-partnerët. Në total, 280.129 persona u raportuan si viktima të dhunës në familje.

Numri i grave dhe vajzave viktima të dhunës në familje në Gjermani u rrit me 2,8% gjatë vitit 2025, duke arritur në 197.667 raste, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme gjermane. Raportet më të fundit mbi dhunën në familje dhe krimet me bazë gjinore ndaj grave tregojnë një rritje të rasteve në të gjitha kategoritë.

Gjatë vitit të kaluar, 54.675 gra dhe vajza u regjistruan si viktima të veprave penale seksuale, me një rritje prej 2,3% krahasuar me vitin 2024. Pothuajse gjysma e tyre ishin të mitura në momentin kur ndodhi krimi. Shqetësuese është edhe rritja e dhunës digjitale. Numri i grave dhe vajzave të prekura nga kjo formë dhune arriti në 31.221, gati 16% më shumë se një vit më parë.

Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për shtrëngim, kërcënime dhe përndjekje. Rreth 30% e viktimave ishin të mitura. Ndërkohë, krimet me motive politike kundër grave u rritën me gati 50%, duke arritur në 819 raste. Kjo kategori krimesh është katërfishuar që nga viti 2022.

Më shumë se gjysma e rasteve përfshinin fyerje, ndërsa të tjerat kishin të bënin kryesisht me vepra propagandistike dhe nxitje të urrejtjes. U regjistruan gjithashtu 54 raste të dhunës fizike me motive mizogjene, kryesisht plagosje. Në total, 280.129 persona u regjistruan si viktima të dhunës në familje gjatë vitit 2025, një rritje prej 2,8% krahasuar me vitin paraardhës.

Nga këto raste, 179.940 lidhen me dhunën mes partnerëve intimë, ndërsa 100.189 me dhunën brenda familjes. Gratë përbëjnë 70,6% të të gjitha viktimave të dhunës në familje. Për rastet e dhunës mes partnerëve, kjo përqindje është edhe më e lartë, duke arritur në 79,4%.

Më shumë se 142.800 gra dhe vajza ranë viktima të dhunës nga partnerët ose ish-partnerët gjatë vitit 2025. Kjo do të thotë se, mesatarisht, më shumë se 16 gra në orë përjetuan këtë formë dhune. Rreth tri të katërtat e personave të dyshuar për dhunë në familje janë burra.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 292 persona humbën jetën si pasojë e dhunës në familje, mes tyre 209 gra dhe vajza. Nga këto të fundit, 130 u vranë nga partnerët ose ish-partnerët. Megjithatë, autoritetet theksojnë se këto vrasje nuk mund të klasifikohen automatikisht si femicide, pasi statistikat policore nuk regjistrojnë motivin e krimit.

Për herë të parë, raporti “Dhuna me bazë gjinore ndaj grave” përfshin një përkufizim të femicidit, të hartuar nga një grup pune i përbashkët i autoriteteve federale dhe atyre të landeve gjermane. Ky përkufizim synon të mundësojë identifikimin dhe dokumentimin më të qartë të rasteve të vrasjeve të grave për arsye gjinore në të ardhmen.

Shifrat e publikuara tregojnë përmasat alarmante të dhunës ndaj grave në Gjermani dhe sfidën që mbetet për autoritetet në parandalimin e saj.