Ndërsa konflikti po hyn në muajin e shtatë, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë përfshirë sërish në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake, për herë të parë pas disa javësh pauze të konsiderueshme.

Gjatë orëve të fundit, shkëmbimi i goditjeve është zgjeruar nga Jordania drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në rajon.

Në natën mes të dielës dhe të hënës, 31 gusht, Irani ka lëshuar raketa në drejtim të Aqabës dhe bazës ushtarake Muwaffaq Salti në Jordani, ku janë të dislokuara forca të ushtrisë amerikane.

Burime arabe kanë raportuar për “disa shpërthime” në zona të ndryshme të Jordanisë. Sulmi është konfirmuar edhe nga një zyrtar amerikan për “Fox News”, i cili tha se deri tani nuk janë raportuar goditje të rëndësishme dhe se pothuajse të gjitha raketat e lëshuara janë interceptuar.

Edhe ushtria jordaneze deklaroi se ka kapur tetë raketa që kishin shkelur hapësirën ajrore të vendit.

Sulmi iranian dyshohet se është ndërmarrë si përgjigje ndaj një operacioni amerikan në ishullin Larak, ku forcat amerikane goditën dy sisteme raketore të regjimit iranian.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, ka kundërshtuar pretendimin e autoriteteve iraniane se goditja në ishullin Larak ishte “një akt agresioni”.

“Ky pretendim është absolutisht i rremë”, thuhet në një reagim të CENTCOM në rrjetin X. Sipas ushtrisë amerikane, forcat amerikane ndërmorën veprime “të kufizuara dhe të sakta” kundër njësive të minimit detar të Gardës Revolucionare iraniane, të cilat përbënin një kërcënim të menjëhershëm në Ngushticën e Hormuzit.

Pak orë më vonë, Marina e Gardës Revolucionare iraniane deklaroi se një supertanker që kishte shkelur rregullat “mori flakë në mënyrë të fuqishme pasi u përplas me dy mina detare”.

Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka pretenduar se ka ndërmarrë një sulm ndaj objektivave amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas deklaratës së forcave iraniane, janë përdorur dhjetëra dronë sulmues kundër zonave ku ndodhen helikopterë dhe trupa amerikane në bazën ajrore Al Minhad, në Emiratet e Bashkuara Arabe.