Tensionet mes Iranit dhe SHBA janë rritur sërish, pasi një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani mund të rrisë pasurimin e uraniumit deri në nivele të përshtatshme për armë bërthamore në rast të një sulmi të ri amerikan.
Deklarata u bë nga Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në parlamentin iranian, i cili tha se një nga opsionet që po shqyrtohet është pasurimi i uraniumit deri në 90%.
Sipas standardeve ndërkombëtare, centralet bërthamore përdorin uranium të pasuruar në nivele 3 deri në 5%, ndërsa niveli 90% konsiderohet i përshtatshëm për përdorim ushtarak dhe prodhim armësh bërthamore.
Paralajmërimi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten tejet të tensionuara. Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur publikisht mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Iranit, duke deklaruar se vendi nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se administrata amerikane po shqyrton skenarë të rinj presioni ndaj Iranit, përfshirë edhe opsione ushtarake, megjithëse deri tani nuk ka një vendim përfundimtar.
