Tensioni mes Greqisë dhe Turqisë është rikthyer sërish në Egje pas një incidenti të ri ajror mes forcave ushtarake të dy vendeve, pavarësisht përpjekjeve të fundit për uljen e toneve mes Athinës dhe Ankarasë.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes së Greqisë, dy avionë luftarakë turq F-16 të armatosur, të shoqëruar nga dy avionë patrullimi CN-235, hynë në FIR-in e Athinës pa paraqitur plan fluturimi. Autoritetet greke raportojnë se u regjistruan katër shkelje të rregullave të trafikut ajror dhe dhjetë shkelje të hapësirës ajrore kombëtare.
Situata u tensionua më tej pasi avionët grekë dhe turq u përfshinë në një përballje ajrore të tipit “dogfight”, një incident që rikthen kujtimet e episodeve të shumta të tensionit mes dy aleatëve të NATO-s në rajonin e Egjeut.
Ngjarja ndodh në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve dukeshin më të qeta pas takimit të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe nënshkrimit të Deklaratës së Athinës në fund të vitit 2023.
Megjithatë, mediat turke raportojnë se vendosja nga Greqia e sistemeve Patriot në Karpathos dhe Dhidhimoteiho ka rritur pakënaqësitë në Ankara, e cila ka rikthyer debatet për demilitarizimin e ishujve grekë.
Një tjetër pikë e fortë përplasjeje mbetet projektligji turk për përcaktimin e zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor, që në Athinë shihet si pjesë e doktrinës së ashtuquajtur “Atdheu Blu”, ndërsa Turqia këmbëngul se bëhet fjalë për mbrojtje të interesave të saj kombëtare.
Në prag të samitit të ardhshëm të NATO-s, vëmendja mbetet e përqendruar te hapat që do të ndërmarrin Athina dhe Ankaraja për të shmangur një përshkallëzim të ri të krizës në rajon.
