Dyshimi dhe frika për çdo lëvizje mbizotëron në Ukrainë që prej momentit kur Vladimit Putin urdhëroi nisjen e bombardimeve. Tashmë qytetarët ukrainas kanë filluar të shohin me dyshim këdo, teksa frika se agjentë rusë mund të jenë të infiltruar mes civilëve rritet.

“Fqinjët e mi ishin të frikësuar. Ata erdhën për të kontrollaur shtëpinë time pasi unë kisha ndezur një dritë të kuqe në dritare,” – tha Bohdan Mylko, një inxhinier 22-vjeçar që ndan një apartament në skajin verior të Odesës.

Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, policia ishte në derën e tij, duke pyetur për dritën e kuqe në dritaren e dhomës së tij të gjumit.

“Është paranoja, bazuar në lajmet e rreme se dritat e kuqe janë një shenjë për rusët. Më duhej të shkoja në komisariat dhe të kontrolloja dokumentet e mia, të bëja një deklaratë. Policia e kuptoi që unë jam thjesht një djalë normal dhe më la të shkoj në shtëpi. Nuk po përpiqem të ndihmoj rusët,” tha Mylko, duke mbajtur lart kompletin e dritave vezulluese që nxitën ndërhyrjen e policisë.

Të shumtë janë ata që mendojnë se rusët mund të jenë duke u ndihmuar nga brenda qyteteve ukrainase, me anë të kodeve të fshehta që në disa raste mund të jenë  thjesht dhe drita apo sende të vendosura në dritaret e shtëpive. Këto shqetësime janë normale për këto qytete që ende nuk e kanë kaluar  tmerrin e sulmeve dhe bombardimeve.

Përgjatë bregut, disa kilometra në jug të qendrës historike të qytetit Odesa, në një zonë të njohur për klubet e natës dhe baret e plazhit, biznesmeni në pension Dmitro Novak, 71 vjeç, po fillonte turnin e tij të mëngjesit me një patrullë lagjeje.

Ai tregoi një shigjetë të zezë të pikturuar në një mur dhe shpjegoi se e kishte mbuluar atë në rast se do të shërbente  si  një shenjë për trupat ruse. Pasi ndoqi shigjetën, ai u ndal pranë një ndërtese të madhe, të zbrazët, me pamje nga deti.

“Aty pashë një dritë të madhe. Ajo drejtohej drejt qiellit të natës. E panë edhe fqinjët e mi. Ishte në çatinë e kësaj ndërtese. Sigurisht që ishte një sinjal për flotën ruse. Një lloj sinjali. Ne thirrëm autoritetet, dhe ata erdhën menjëherë dhe drita u fiku. Kështu që tani po shikojmë me kujdes përreth për ndonjë sinjal apo shenjë tjetër. Të gjithë janë vigjilentë. Ne po ndryshojmë turne çdo dy orë,” tha Novak.

Javën e kaluar, artileria detare ruse bombardoi zonën, me disa raketa që u ulën në breg të plazhit dhe disa të tjera goditën shtëpitë e banimit, por nuk shkaktuan viktima.

Mediat ukrainase kanë transmetuar video të shumta që tregojnë policinë duke arrestuar diversantë të dyshuar rusë. Presidenti Volodymyr Zelensky u shfaq gjithashtu duke shpërndarë medalje për një grup agjentësh të sigurimit të policisë për kapjen e diversantëve të dyshuar rusë dhe grupeve të zbulimit.

Por vlen të theksohet se, me gjithë frikën dhe dyshimin e ngjallur nga raporte të tilla, provat e deritanishme sugjerojnë se disa qeliza të izoluara ruse, deri më tani, kanë qenë jashtëzakonisht të pasuksesshme dhe se opinioni publik ukrainas – duke kundërshtuar drejtpërdrejt propagandën ruse – është i bashkuar kundër pushtimit të Kremlinit.