Qeveria italiane ka miratuar të tjera rregulla kufizuese, si pasojë e rritjes së pakontrollueshme të rasteve të reja të infeksioneve me koronavirus.


Kryeministri Giuseppe Conte bëri me dije se rregullat e reja do të hynë në fuqi nga nesër, por nuk bëri të ditur kohëzgjatje e tyre.


Sipas këtyre rregullave, Italia do të ndahet në tre zona sipas shkallës së rrezikut.


Mësimi do të zhvillohet 100% online, do të kufizohet lëvizja e njerëzve nga njëri rajon në tjetrin, qendrat tregtare do të mbyllen në fundjavë, e po ashtu edhe muzetë e sallat e lojërave.


Transporti publik do të kufizohet me 50 %, ndërsa nuk do të lejohet lëvizja e njerëzve gjatë orëve të mbrëmjes.


“Pamja epidemiologjike është në procesin e tranzicionit drejt skenarit 4 me referencë të veçantë për disa territore. Indeksi kombëtar i Rt është 1.7, por në disa rajone padyshim që të dhënat janë më të larta. Ekziston një tjetër gjasë që 15 rajone të kapërcejnë pragjet kritike në spitale dhe zonat mjekësore në muajin tjetër “, tha Conte.