Qeveria greke shpalli një paketë të re masash për të përballuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, si pasojë e tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme.
Me një mesazh televiziv kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi katër ndërhyrje tek çmimet për muajt prill dhe maj, me një kosto totale rreth 300 milionë euro, me synim mbrojtjen e familjeve dhe ekonomisë nga vala e shtrenjtimit. Masa kryesore është subvencionimi i naftës për automjete me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, që përkthehet në rreth 20 cent ulje në çmimin përfundimtar me TVSH.
Paralelisht, do të jepet, ashtu si edhe ne momentet e fillimit të luftës me Ukrainën, edhe Karta Digjitale e Karburantit, e cila mund të përdoret në pikat e furnizimit me karburant, në transportin publik dhe tek taksitë, për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve nga rritja e çmimeve të benzinës.
Sipas qeverisë, mbështetja mesatare arrin në rreth 36 cent për litër. Për një konsum tipik prej 70 litrash në muaj, kjo përkthehet në rreth 50 euro për dy muaj në Greqinë kontinentale dhe 60 euro në ishuj, ku kostot e transportit janë më të larta.
Paketa përfshin edhe ndihmë për sektorin bujqësor, me subvencionim prej 15% të kostos së plehrave kimike, si dhe kompensim për kompanitë e transportit detar, me kusht që të ofrojnë zbritje në biletat e udhëtimit, në mënyrë që çmimet të mbeten në nivelet e vitit të kaluar.
Qeveria thekson se fondet do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe nga taksimi i fitimeve të operatorëve të lojërave online, ndërsa paralajmëron se do të mbajë rezerva në rast të përkeqësimit të situatës ekonomike globale.
Detajet e zbatimit të masave pritet të sqarohen në një konferencë për shtyp nga ministri i Ekonomisë Kombëtare dhe Financave dhe zëvendësministri përkatës rreth orës 13.30 të ditës së sotme , ndërsa autoritetet theksojnë se synimi është stabilizimi i çmimeve dhe mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.


