Një raport i fundit i Transitional Justice Working Group hedh dritë mbi një rritje të ndjeshme të dënimeve me vdekje në Korea e Veriut gjatë viteve të pandemisë.
Sipas raportit, nga janari 2020 deri në fund të vitit 2024, të paktën 153 persona janë ekzekutuar ose dënuar me vdekje, një rritje e fortë krahasuar me vetëm 44 raste të regjistruara në pesë vitet para pandemisë. Studiuesit e lidhin këtë trend me izolimin e vendit dhe forcimin e kontrollit shtetëror pas mbylljes së kufijve në vitin 2020.
Raporti thekson se shumë nga dënimet kapitale lidhen me shkelje që përfshijnë fenë, praktika të konsideruara bestytnore, si dhe konsumimin e përmbajtjeve kulturore të huaja. Në veçanti, përmenden rastet e ndëshkimeve për ndjekjen e dramave apo dëgjimin e muzikës K-pop nga Korea e Jugut, të cilat regjimi i Kim Jong Un i konsideron kërcënim për ideologjinë shtetërore.
Sipas të njëjtit raport, ekzekutimet kishin shënuar rënie në periudhën 2015–2019, pjesërisht si rezultat i presionit ndërkombëtar pas hetimeve të kryera nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në vend. Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm pas vitit 2020, kur u raportuan të paktën 54 ekzekutime në një vit dhe 45 në vitin pasues.
Në një perspektivë më të gjerë, raporti evidenton se kulmi i ekzekutimeve është regjistruar në fillim të pushtetit të Kim, me mbi 80 raste në vitin 2013. Në total, rreth 358 persona janë ekzekutuar në periudhën 2011–2024.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se mbi 70% e ekzekutimeve janë kryer publikisht, kryesisht me pushkatim. Organizata ka identifikuar 46 vende të ndryshme ekzekutimi në vend, bazuar në dëshmitë e më shumë se 250 dezertorëve nga dhjetëra rajone.
Raporti paralajmëron për një rrezik të vazhdueshëm të rritjes së këtyre praktikave, ndërsa regjimi synon të forcojë kontrollin ideologjik dhe kulturor, duke ruajtur dominimin politik në vend.
