Shpejtësia e lartë, një gomë e shpërthyer dhe asfalti i pabarabartë dyshohet të kenë qenë faktorët kryesorë që çuan në aksidentin tragjik ku humbën jetën Diogo Jota, ylli i Liverpool-it dhe i kombëtares portugeze, si dhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist.
Dy vëllezërit ndodheshin në një Lamborghini Huracán me qira, kur automjeti doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë gjatë një manovre parakalimi në autostradën A-52, pranë zonës Cernadilla, në provincën e Zamoras, Spanjë.
Sipas burimeve nga mediat spanjolle, Diogo Jota kishte vendosur të mos udhëtonte me avion për arsye shëndetësore. Ai ishte rikuperuar së fundmi nga një ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri (pneumothorax), dhe mjekët i kishin rekomanduar shmangien e fluturimeve për të evituar komplikacione të mundshme që lidhen me presionin e ajrit.
Dy vëllezërit ishin nisur drejt Santander-it, ku kishin planifikuar të merrnin një traget për në Portsmouth (Angli) në orën 16:00. Qëllimi i udhëtimit ishte rikthimi i Jotës në Liverpool për t’u bashkuar me stërvitjen e ekipit të martën.
Autostrada A-52, që lidh Galicia me Portugalinë, ka qenë shpesh në qendër të kritikave për infrastrukturën e amortizuar. Në prill të vitit të kaluar u raportuan dhjetëra ankesa për dëmtimet në sipërfaqen rrugore, ndërsa vetëm 10 ditë para aksidentit të Jotës, një grua u plagos rëndë në të njëjtën zonë.
Sipas Guardia Civil, automjeti po udhëtonte me shpejtësi të lartë, ndoshta mbi kufirin prej 120 km/h, në momentin kur shpërtheu një nga gomat e pasme dhe makina humbi kontrollin. Hetimet janë ende në zhvillim për të përcaktuar saktësisht faktorët që sollën aksidentin fatal.
Rute Cardoso, bashkëshortja e Diogos, mbërriti sot në Institutin e Anatomisë Ligjore në Zamora, ku trupat e vëllezërve janë dërguar për identifikim përmes ADN-së. Çifti ishte martuar vetëm 12 ditë më parë, në një ceremoni intime në Porto, ku morën pjesë edhe tre fëmijët e tyre dhe familjarë të afërt.
Autoritetet spanjolle kanë vënë në dispozicion mbështetje psikologjike për Ruten dhe familjen, ndërsa në Portugali, populli dhe komuniteti sportiv vazhdojnë të shprehin dhimbjen dhe solidaritetin.
Funerali i Diogo Jotës dhe vëllait të tij André do të mbahet të shtunën në orën 10:00, në katedralen e Gondomarit, pranë qytetit të tyre të lindjes, Porto. Homazhet nisën sot në Capela da Ressurreição, ku me dhjetëra qytetarë, miq dhe figura të botës së sportit kanë ardhur për të dhënë lamtumirën e fundit.
Dy jetë të reja, dy yje të futbollit portugez, u shuan para kohe duke lënë pas një boshllëk të thellë dhe një plagë që vështirë do të shërohet në zemrat e të gjithë atyre që i deshën.
