Presidenti amerikan Donald Trump shprehu “habinë e tij të madhe” për vendimin e drejtësisë braziliane që dënoi ish-presidentin e ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, për tentativë grushti shteti, pavarësisht, sipas tij, presioneve që kishte ushtruar Uashingtoni në mbështetje të Bolsonaro-s.
“Është për t’u habitur se si ndodhi një gjë e tillë. Ngjan shumë me atë që tentuan të më bëjnë edhe mua”, deklaroi Trump të enjten për mediat, duke iu referuar çështjeve të tij gjyqësore, të cilat megjithatë nuk përfunduan në dënim.
“E kam njohur kur ishte president i Brazilit. Është njeri i mirë”, shtoi presidenti amerikan, i cili më parë e kishte cilësuar ndjekjen penale ndaj aleatit dhe admiruesit të tij si “gjueti shtrigash”.
Gjatë mandatit të Trump, SHBA vendosi tarifa shtesë për produktet braziliane dhe sanksione ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Federale (STF) që merrej me çështjen e Bolsonaro-s.
Gjithashtu, u vendosën kufizime udhëtimi për anëtarë të tjerë të gjykatës së lartë, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit gjyqësor.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se SHBA do të marrë “masa të duhura hakmarrëse” pas dënimit të rëndë me burg për Bolsonaro-n.
“Persekutimi politik nga gjyqtari i STF Alexandre de Moraes, i cili tashmë është nën sanksione nga SHBA për shkelje të të drejtave të njeriut, vazhdon. Ai dhe të tjerë në gjykatën e lartë vendosën ta burgosin padrejtësisht ish-presidentin Jair Bolsonaro”, deklaroi Rubio përmes platformës X.
“Do të ketë një përgjigje të përshtatshme nga SHBA ndaj kësaj ‘gjuetie shtrigash’,” shtoi ai.
Ministria e Jashtme e Brazilit reagoi menjëherë duke theksuar se “kërcënimet” si ato të Rubio-s “nuk do të frikësojnë demokracinë tonë”, dhe se autoritetet do të mbrojnë “sovranitetin kombëtar të vendit” ndaj çdo “sulmi apo përpjekjeje ndërhyrjeje”, pavarësisht se nga vijnë ato.