Referendumi për shkarkimin e Presidentit shpallet i pavlefshëm për shkak të pjesëmarrjes së ulët


Presidenti i vendit, Trajan Basesku, i ka mbijetuar referendumit të zhvilluar në Rumani të dielën për largimin e tij nga detyra. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur të pavlefshëm referendumin, pasi ashtu siç e kërkon ligji duhet të votonin më shumë se 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas komisionit të zgjedhjeve, pjesëmarrja e votuesve nuk kaloi as shifrën 46 për qind. Ky rezultat përkthehet edhe me qëndrimin në detyrë të Presidentit konservator të pezulluar nga Parlamenti. Por pavarësisht këtij rezultati, Rumania rrezikon të futet në një fazë të re destabiliteti pas konfliktit që vazhdon prej disa javësh mes Presidentit dhe Kryeministrit që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të Kushtetutës së vendit dhe tejkalim të kompetencave që u cakton ligji. “Rumunët e refuzuan goditjen e shtetit të organizuar nga 256 parlamentarët me në krye Kryeministrin Victor Ponta dhe kryetarin e senatit, Crin Atonescu. Rumunët votuan të paktë në numër, ashtu siç ua diktoi ndërgjegjja. Shumica qëndruan në shtëpi. Përmes këtij veprimi, shprehën vullnetin e tyre, konsoliduan idenë se Rumania nuk mund të kthehet në një shoqëri të drejtuar nga tekat e dikujt, pa rregulla, pa norma, në një shoqëri të qeverisur prej një grupi politikanësh që vendosin fatin e të gjithë rumunëve”, tha Basesku. “Dua të falënderoj të gjithë ata që e kuptuan se referendumi nuk ishte për mua, por për Europën”, shtoi ai duke thënë se edhe masat e ashpra të kursimit, pas të cilit popullariteti i tij u ul shumë, janë marrë në emër të disiplinës fiskale të kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri socialist, Victor Ponta, dhe Presidenti i përkohshëm, liberali Crin Antonescu, pranojnë se mbështetësit e tyre treguan më pak interesim për këtë referendum, nga sa pritej. Edhe pse 88 për qind e atyre, që kanë votuar, vendosën për largimin, votat nuk janë të mjaftueshme. Më shumë se gjysma e të gjithë rumunëve nuk kanë pasur interes për këtë procedurë. “Presidenti rumun do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e tij, por ai nuk do të ketë më legjitimitet”, shtoi më tej Ponta. Tani pritet që Gjykata Kushtetuese ta shpallë referendumin të pavlefshëm për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme. Shumica e re social-liberale ka deklaruar, se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por që në prag të votimit, politikanët social-liberalë, kishin deklaruar se Parlamenti do të thotë fjalën e fundit në këtë proces. Me fjalë të tjera: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të luante ndonjë rol. Sundimi i ligjit në një shtet anëtar të BE-së ka pamje tjetër. Para referendumit ai kishte deklaruar, se në rast dështimi do të tërhiqet nga politika. Por Ponta ka gënjyer disa herë, duke e dëmtuar vendin dhe popullin e tij. Akuzat e konfirmuara për plagjiaturë, qëndrimet kontradiktore në BE në Bruksel dhe në Bukuresht, rrisin mundësitë që partia e tij nuk do ta mbajë dot gjatë Kryeministrin. Referendumi ishte kërkuar nga mazhoranca e qeverisë së qendrës së majtë që e akuzon Baseskun se ka dhunuar Kushtetutën dhe ka vepruar përtej hapësirës që e lejon ligji. Por për largimin e tij ishte e nevojshme një fitore me një kuorum të paktën 50+1 për qind e votuesve. Basesku ishte pezulluar nga detyra me votimin në Parlament më 6 korrik, por sipas ligjit kjo duhej të konfirmohej nga vota e popullit. Por edhe gëzimi i fitores në kampin e Basescu-t nuk do të zgjasë shumë. Kryetari i vjetër i shtetit kthehet në pallatin e tij, por ndryshe nga referendumi i vitit 2007 pushteti i tij është dobësuar.


 


Pavlefshmëria


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur të pavlefshëm referendumin, pasi ashtu siç e kërkon ligji duhet të votonin më shumë se 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote


 


Ngërçi


Por pavarësisht këtij rezultati, Rumania rrezikon të futet në një fazë të re destabiliteti pas konfliktit politik që vazhdon prej disa javësh mes Presidentit dhe Kryeministrit


 


Kryeministri


“Presidenti rumun do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e tij, por ai nuk do të ketë më legjitimitet”, tha Ponta. Tani pritet që Gjykata Kushtetuese ta shpallë referendumin të pavlefshëm