Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e konsideron si një taktikë për të fituar kohë propozimin e Rusisë për një armëpushim të përkohshëm dhe të kufizuar.
Sipas tij, ideja për një pauzë dy apo tre ditore për të mbledhur trupat e ushtarëve të rënë në fushën e betejës, synon të vonohet vendosja e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë.
“Mendoj se janë budallenj. Sepse, në radhë të parë, një armëpushim ka për qëllim të ndalojë humbjet, jo të shërbejë si manovër politike,” deklaroi Zelensky për gazetarët.
Ai i bëri thirrje SHBA-ve që të ndërmarrin hapa të fortë, duke i dërguar paketën e re të sanksioneve Senatit amerikan, për të rritur presionin ndaj Rusisë që të ndalë agresionin.
“Kjo është arsyeja pse dua vërtet që partnerët tanë amerikanë të marrin masa të forta dhe të dërgojnë një paketë sanksionesh në Senat, për të ushtruar presion mbi rusët që të ndalojnë armiqësitë me sanksione të forta. Ata nuk kuptojnë asnjë mënyrë tjetër. Dhe ne besojmë se kjo është e drejtë”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar se “në fund të fundit, kanë kaluar tre muaj që kur SHBA-të dhanë sinjalin për një armëpushim të plotë dhe ne i mbështetëm ata”– tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se Ukraina nuk i ka ndryshuar kërkesat e saj. Ajo që kërkon është një armëpushim pa kushte, një shkëmbim të të burgosurve, kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, kthimin e civilëve dhe më pas një takim të udhëheqësve.
Zelensky tha se delegacionet ukrainase dhe ruse, që morën pjesë në raundin e dytë të bisedimeve në Stamboll të hënën, ranë dakord të hartojnë lista me emrat e të burgosurve të luftës që do të përfshihen në shkëmbimin e planifikuar.
“Negociatorët ukrainas dhe rusë ranë dakord për një shkëmbim prej 1,000 të burgosurish nga secila palë, me mundësinë e shtimit të 200 të tjerëve të burgosur lufte”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se ishte arritur një marrëveshje për kthimin e eshtrave të ushtarëve që u vranë gjatë asaj lufte, por theksoi se kjo kërkon përgatitje të kujdesshme. Zelensky tha se negociatorët ukrainas u kishin dhënë homologëve të tyre rusë një listë me gati 400 fëmijë, të cilët Kievi po kërkon t’i riatdhesojë, duke pretenduar se ata u zhvendosën me forcë nga trupat ruse.
Megjithatë, delegacioni rus pranoi të merrte në konsideratë kthimin e vetëm dhjetë fëmijëve.



