Kharkiv është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, por dhe më i dëmtuar nga bombardimet e trupave ruse.

Së fundi autoritetet njoftojnë se është shkatërruar një kullë transmetimi e televizionit dhe radios, duke ndërprerë sinjalin në gjithë qytetin.

“Zonat e ndërtesës ku ishin pajisjet teknike janë shkatërruar dhe shkalla e dëmtimit të vetë kullave është ende duke u vlerësuar,” thuhet në deklaratë.

Më herët, trupat ruse shënjestruan dhe kullën e transmetimit në Kiev, duke lënë dhe 5 viktima nga sulmi. Ndërprerja e sinjalit televiziv dhe atij të radios, e po ashtu dhe e internetit e bën më të vështirë misionin e evakuimit të civilëve në Ukrainë.