Vladimir Putin ka mbajtur sot një fjalim plot mesazhe para dhjetëra mijëra rusëve që valëvisin banderola, në një përpjekje për mbështetje për pushtimin e tij në Ukrainë.

Putin “shpjegoi” arsyet përse  sipas tij filloi lufta dhe shpërndau një histori të rremë të Rusisë, ndërsa betejën e cilësoi ‘sukses’, edhe pse trupat ruse kanë pësuar humbje dhe ngecje për shkak të rezistencës së Ukrainës.

Por, ajo që tërhoqi vëmendje ishte veshja e tij. Despoti doli në skenën e stadiumit të Kupës së Botës Luzhniki të Moskës i veshur me një xhaketë Loro Piana prej 10,000 £, pavarësisht se ekonomia e vendit të tij po shkatërrohet nën peshën e sanksioneve perëndimore.

 Ai iu drejtua turmës së njerëzve që valëvisnin flamuj kombëtarë rusë dhe parulla të shënuara me shkronjën “Z”, simbol i pushtimit të ushtrisë ruse në Ukrainë. Putin, foli për ndarjen e një ‘fati të përbashkët’ me Krimeasit, për ‘denazifikimin’ e rajonit në vitin 2014 dhe për ‘trimërinë’ e ushtarëve që aktualisht luftojnë në Ukrainë, ndërsa pjesëmarrësit në takim thërrisnin “Rusi, Rusi, Rusi”.