Ambasada e Rusisë në Tel Aviv ka kërkuar nga qytetarët rusë që të largohen sa më shpejt nga Izraeli, mes tensioneve në rritje me Iranin. Paralajmërimi erdhi nga ambasadori rus Anatoly Viktorov, i cili tha për transmetuesin shtetëror Rossia 24 se “kërcënimi për jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe diplomatëve rusë është real.”
Qytetarëve u rekomandohet të përdorin rrugën përmes Egjiptit, ku nuk kanë nevojë për vizë dhe prej nga mund të fluturojnë drejt Rusisë.
Ambasada e Rusisë po shqyrton gjithashtu skenarë evakuimi në rast përshkallëzimi të mëtejshëm. Ndërkohë, edhe konsullata ruse në Teheran ka pezulluar aktivitetin dhe ka larguar disa shtetas nga Irani.
Autoritetet ruse të aviacionit kanë ndaluar përkohësisht fluturimet drejt Iranit, Izraelit, Jordanisë dhe Irakut deri më 26 qershor, si masë sigurie.
Presidenti Vladimir Putin ka dënuar sulmet izraelite dhe ka paralajmëruar për një “përshkallëzim të rrezikshëm” në Lindjen e Mesme. Ai i ka ofruar ndërmjetësim Presidentit amerikan Donald Trump për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes palëve.