Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me luftën në Ukrainë, duke e quajtur Rusinë një “tigër prej letre” dhe duke thënë se Ukraina ka një mundësi reale për të fituar luftën dhe për të rikthyer të gjithë territorin në kufijtë origjinalë.

Në deklaratën e bërë publike sot, Trump theksoi se analizat e situatës ushtarake dhe ekonomike mes dy vendeve, si dhe vështirësitë që po përjeton Rusia, e kanë bindur se me ndihmën e BE-së dhe NATO-s, Ukraina është në pozicionin e duhur për të dalë fitimtare. “Rusia ka luftuar pa qëllim për tre vjet e gjysmë një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë. Kjo nuk e nderon Rusinë. Përkundrazi, e bën të duket si një tigër prej letre,” u shpreh Trump.

Ai vuri theksin edhe te pasojat ekonomike brenda Rusisë, duke përmendur mungesat e karburantit, radhët e gjata dhe kolapsin ekonomik që po e godasin vendin. Sipas tij, kjo po ndikon drejtpërdrejt në moralin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë ruse. “Kur qytetarët e Moskës dhe qyteteve të tjera të kuptojnë realisht çfarë po ndodh, kur nuk do të mund të marrin as karburant për shkak të radhëve të gjata, atëherë Rusia do të përballet me një krizë të brendshme që Ukraina mund ta shfrytëzojë për të rikthyer vendin e saj ndoshta edhe më shumë se kaq,” shtoi ai.

Trump përfundoi deklaratën duke bërë një thirrje për veprim të menjëhershëm. “Putini dhe Rusia janë në vështirësi të mëdha ekonomike. Ky është momenti që Ukraina të veprojë. Në çdo rast, uroj të dy vendet të mirën. Ne do të vazhdojmë të furnizojmë armë për NATO-n, në mënyrë që NATO të bëjë çfarë të dojë me to. Fat të mbarë të gjithëve!”, tha ai.

Deklarata e Trump ka ngjallur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për tonin e ashpër ndaj Rusisë dhe inkurajimin e Ukrainës për të marrë një rol më ofensiv në konflikt.